Një film i ri i metrazhit të shkurtër me titull “Mirupafshim”, me skenar dhe regji nga Fitim Rrustemi, sjell në fokus një nga plagët më të dhimbshme të pasluftës në Kosovë – neglizhencën ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Filmi rrëfen historinë prekëse të një ish-ushtari të UÇK-së, invalid lufte, i cili çdo mëngjes zgjohet me kujtimet e dhimbshme të së kaluarës. I lënë në harresë nga shteti dhe shoqëria, ai përjeton vetminë, mungesën e kujdesit dhe mbështetjes institucionale. Dy ditë pas përvjetorit të rënies së shokut të tij dëshmor, ai i jep fund jetës – një akt i rëndë që pasqyron realitetin e dhimbshëm të shumë veteranëve.

Roli kryesor interpretohet nga aktori Ruzhdi Drenica, ndërsa muzika e filmit mban firmën e Florim Rrustemit.

Sipas Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, që nga përfundimi i luftës, mbi 40 veteranë kanë kryer vetëvrasje, numër që mund të jetë edhe më i lartë se sa është bërë publik.

“Mirupafshim” nuk është thjesht një film, por një thirrje e fortë për ndërgjegjësim. Ai kërkon nga shteti dhe shoqëria që të mos harrojnë ata që dhanë gjithçka për lirinë, dhe të kujdesen për të mbijetuarit që sot përballen me plagë të padukshme.

“Të rënëve për liri ua kemi borxh jetën. Të gjallëve që luftuan për liri – ua kemi borxh kujdesin dhe respektin, deri në frymën e fundit!” – është mesazhi i fundit i filmit që godet drejt në zemër.

Related Posts