Të premten, Policia në Mitrovicë të veriut ka arrestuar një person për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pas një sulmi me thikë ndaj një personi tjetër gjatë një mosmarrëveshjeje për qiradhënie në rrugën “Anri Dinan”.
Personi i arrestuar, B.I., i vitit të lindjes 2000, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia e Kosovës bën të ditur se viktima pësoi lëndime në këmbën e majtë dhe stomak dhe u trajtua në spital.
“Sipas raportimit, rasti ka ndodhur në rrugën ‘Anri Dinan’. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale në lidhje me një qiradhënie. Më pas, sipas dyshimeve, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht e kanë rrahur viktimën dhe më pas njëri nga të dyshuarit e ka therur me një mjet të mprehtë (dyshohet thikë) katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak, duke i shkaktuar lëndime trupore”.
“Policia, në bazë të veprimeve të shpejta operative, ka arritur të identifikojë vendndodhjen e automjetit të përdorur nga të dyshuarit, i cili ishte i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes dhe i njëjti më pas është sekuestruar nga policia”, njoftoi Policia.
Gjithashtu, pas veprimeve policore, është arritur të identifikohet edhe vendndodhja e njërit nga personat e dyshuar.
“Policia ka shkuar në atë lokacion, ku ka hasur në personin e dyshuar dhe ka bërë arrestimin e tij. I dyshuari ka tentuar të largohet, por është arritur të arrestohet. Arrestimi i tij është bërë në adresën e banimit të familjarëve të tij në qytetin e Mitrovicës së Veriut”.
Ndërkaq, gjatë kontrollit në banesë, policia ka sekuestruar një armë AK-47, fishekë, granatë dore, thika, shok-bomba, bimë dhe substanca narkotike, si dhe mjete të tjera të dyshuara si të lidhura me aktivitet kriminal.
Njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë tërhequr materialet e rrezikshme në mënyrë të kontrolluar.
Policia vazhdon kërkimin e dy të dyshuarve të tjerë, të cilët janë në arrati.
Rasti është nën hetim dhe ndaj të arrestuarit janë iniciuar edhe rastet për posedim armësh dhe narkotikësh pa leje.






















