Gramoz Vokrri është përzgjedhur si kandidat për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës nga opozita e Agim Ademit. Burime të “Insportit” bëjnë të ditur se tashmë janë pajtuar që Gramoz Vokrri do të jetë ai që do ballafaqohet me Agim Ademin në garën për të karrigen e të parit të FFK-së.
Gramoz Vokrri është djali i legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrri. Fadil Vokrri ishte kryetar i FFK-së që nga viti 2006.
Karrigen e të parit të FFK-së po e synon edhe djali i tij, Gramozi, me mbështetjen e fuqishme të opozitës së kryetarit aktual, Agim Ademit.
Opozizta përbëhet nga kandidatët që kanë synuar po ashtu udhëheqjen e FFK-së.
Arianit Ahmeti, Remzi Ejupi, Nexhat Dumnica, Bekim Shotani, Afërdita Fazliu dhe së fundmi edhe Eroll Salihu, i cili mbrëmë në “Debat Plus” deklaroi se nuk do të jetë kandidat pas suspendimit të bërë nga FFK-ja.
Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti ditë më parë në emisionin “Pressing” të televizionit “T7”, konfirmuan se janë pajtuar që të jetë vetëm një kundër-kandidat.
“Agim Ademi do të ketë kundër-kandidat, shumë shpejtë do ta kuptoni. Ditët në vijim, vetëm prisni”- ishte deklarata e Ahmetit.
“Insporti” ka kontaktuar me Gramoz Vokrrin, i cili ka deklaruar se për momentin është në rolin e shikuesit dhe se nuk ka biseduar ende me klubet.
“Nuk e di çka të them. Mundet me u përfol gjithçka. Tash kandidatura nuk mundet me u shpallë në studio televizive, pa i pas 15 nënshkrime. Kandidatura buron prej klubeve, nëse nuk kanë dëshirë prej klubeve normalisht që nuk ka kandidatur. Momentalisht nuk kam biseduar me klubet, më shumë jam duke i përcjell ngjarjet ligjore, statutare, ka me të vërtetë shumë pa qartësi por besoj që në momentin e duhur nëse ka dëshirë prej klubeve, normal që ulem e bisedojmë. Për momentin nuk ka asgjë”.
Megjithatë, po i njëjti burim i “Insportit” bënë të ditur se opozita dhe Gramoz Vokrri tashmë kanë siguruar 15 nënshkrimet, që ia mundësojnë kandidimin për Kryetar të FFK-së.
Gramoz Vokrri në të kaluarën ka qenë pjesë e FFK-së por që është larguar nga Agim Ademi në mars të vitit 2019.
Zgjedhjet për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahen më 6 prill. Kështu është vendosur të mërkurën e javës së kaluar nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
Agim Ademi udhëheq FFK-në që nga vera e vitit 2018 dhe do ta kërkojë edhe një mandat. Ademi është pasardhësi i Fadil Vokrrit, i cili vdiq me 9 qershor të 2018.
Megjithatë, vendimin e KE për shpalljen e zgjedhjeve opozita e FFK-së e quan të jashtëligjshëm.
Arianit Ahmeti thotë se Agim Ademi nuk e ka respektuar qëllimisht statutin e FFK-së, për shkak të frikës nga një kundër-kandidat dhe kjo është arsyeja se pse ka ardhur deri te ky organizim i fshehtë për të mbajtur kuvendin pa i respektuar normat e saj.