Një ndeshje spektakolare, e mbushur me përmbysje, karton të kuq, gola dhe emocione deri në fund, përfundoi me kualifikimin e Galatasaray, që kalon tutje falë rezultatit të përgjithshëm 7-5 ndaj Juventus.
Zonja e Vjetër nisi fuqishëm takimin dhe kaloi në epërsi me golin e Manuel Locatelli, por në minutën e 48-të, Lloyd Kelly u përjashtua me karton të kuq, duke lënë Juventusin me 10 lojtarë.
Pavarësisht inferioritetit numerik, skuadra italiane reagoi në mënyrë fantastike me golat e Federico Gatti dhe Weston McKennie, duke e dërguar lojën në kohë shtesë.
Njeriu që ndryshoi rrjedhën e takimit ishte Edon Zhegrova. I futur në lojë vetëm pak minuta para golit të dytë, ai pati një impakt të menjëhershëm dhe vendimtar. Tek dy golat, aksionet nisën nga këmbët e tij.
Ylli kosovar pati rastin për të vendosur fatin e Juventusit në minutën e 95-të, kur u gjend i vetëm përballë portierit Ugurcan Cakir. Topi, megjithatë, përfundoi ngjitur me shtyllën, duke shkaktuar zhgënjim tek të gjithë që prisnin një gol nga një pozicion ideal.
Edhe në pjesën e dytë të kohës shtesë, Zhegrova pati një mundësi tjetër të shkëlqyer. Pas driblimit mbi Eren Elmali, ai gjuajti bukur, por portieri turk priti.
Kjo ndeshje tregoi qartë se trajneri Luciano Spalletti duhet t’i besojë më shumë Zhegrovas në takimet e mbetura të Serie A.























