Në protestën e organizuar në rrjetet sociale për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha ishin të pranishëm edhe disa nga familjarët dhe miqtë e viktimës, mes tyre dhe motra e tij.
Përpara mikrofonit të A2, motra e Klodian Rashës kërkoi drejtësi për vëllanë e vrarë dhe u shpreh se ai u qëllua me armë nga policia pasi nuk kishte vendosur maskë. Sipas saj ai nuk kishte armë në momentin e ngjarjes, por dy hurma.
“Kemi ardhur këtu për dorëheqjen e zotërisë Sandër Lleshi. Për çfarë arsye e ka vrarë vëllanë tim? Prindërit kanë qenë duke fjetur. Unë kam qenë jashtë dhe kam ardhur kur mora vesh që vëllai u vra nga policia. Vëllai nuk ka pasur armë. Ishte i fejuar këtë vit do të bënte martesën. Ka qenë djalë i qetë. Vëllai u vra për një maskë. Çfarë është ky shtet?”, u shpreh ajo.
Më herët, protestuesit ndezën qirinj për të kujtuar të riun e vrarë dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
25 vjeçari Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie gjatë ndjekjes, pasi ky i fundit dyshoi se ai kishte një armë në dorë.