Zjarrfikësit e Gjakovës kanë ndarë detaje nga zjarri masiv që përfshiu fabrikën e Comodita-s, në Gjakovë.

Ata deklarojnë se zjarri nisi që nga pasditja, teksa ekipet në vendngjarje deri në mesnatë arritën ta shuajnë plotësisht.

“Gjatë operacionit, falë reagimit të shpejtë dhe përkushtimit të ekipit, u arrit të mbrohej edhe zona ku ndodheshin bombola gazi, rreziku i shpërthimit të të cilave mund të kishte shkaktuar një katastrofë të madhe” thuhet në njoftimin e Zjarrfikësve të Gjakovës.

Ky njësit falënderon për mbështetjen dhe bashkëpunimin edhe zjarrfikësit e qyteteve të tjera, që iu dolën në ndihmë.

Ky është njoftimi i plotë:

Dje pasdite njësia e zjarrfikësve të Gjakovës ka intervenuar në zjarrin e madh që përfshiu një pjesë të fabrikës “Comodita” në Gjakovë.

Zjarri, i përmasave të mëdha, mori flakë që nga pasditja dhe ekipet tona mbetën në vendngjarje deri në mesnatë derisa u arrit të shuhej plotësisht, duke parandaluar përhapjen e tij në pjesë të tjera të objektit.

Gjatë operacionit, falë reagimit të shpejtë dhe përkushtimit të ekipit, u arrit të mbrohej edhe zona ku ndodheshin bombola gazi, rreziku i shpërthimit të të cilave mund të kishte shkaktuar një katastrofë të madhe.

Shprehim falënderimet tona të veçanta për bashkëpunimin dhe mbështetjen e kolegëve zjarrfikës nga:

– Njësia e Prishtinës

– Njësia e Prizrenit

– Njësia e Rahovecit

– Njësia e Pejës

– Njësia e Deçanit

– Njësia e Junikut

për solidaritetin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë intervenimit.

Faleminderit të gjithëve për përkushtimin dhe punën e palodhur në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

Related Posts