Një thirrje e qartë dhe e prerë është bërë sot ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të trajtojnë me serioz diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi, veçanërisht në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.

Muharrem Salihu, aktivist i angazhuar në çështjet e të drejtave të njeriut, ka vlerësuar çdo nismë që synon të adresojë këtë realitet, përfshirë edhe përpjekjet për miratimin e një Rezolute parlamentare që artikulon diskriminimin ndaj shqiptarëve në Serbi. Por sipas tij, çdo diskutim për të drejtat nuk mund të jetë i plotë nëse nuk trajton një të vërtetë themelore: “Nuk mund të ketë të drejta pa njerëz.”

Ai ka theksuar se çdo dokument zyrtar duhet të shkojë përtej ndalimit të pasivizimit arbitrar, duke kërkuar rikthimin e adresave të fshira dhe me to edhe të gjitha të drejtave qytetare, politike dhe sociale që iu janë mohuar padrejtësisht mijëra qytetarëve shqiptarë.

“Çështja e pasivizimit është një veprim perfid administrativ, përmes të cilit po kryhet një spastrim i heshtur etnik, veçanërisht në Medvegjë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës etnike në jug të Serbisë me ritme alarmante,” ka deklaruar ai.

Sipas Salihu  një qasje e përgjithshme dhe e paqartë ndaj kësaj çështjeje rrezikon të amnistojë padrejtësitë e bëra ndër vite. “Nuk mund të kërkohen të drejta për njerëz që në dokumente nuk ekzistojnë më  ky është një absurditet në vetvete,” ka shtuar ai.

Ai ka kritikuar edhe heshtjen e gjatë politike për këtë çështje, duke theksuar se nuk mund të rishkruhet historia në prag të zgjedhjeve apo për karriera politike të zgjatura. “Ata që heshtën për pasivizimin e adresave, sot kanë obligim moral dhe politik të dëgjojnë zërin e atyre që e përjetuan mbi shpinë këtë padrejtësi.”

M.S. përfundon me një mesazh të qartë: “E ardhmja e shqiptarëve në Serbi nuk do të ndërtohet mbi harresë apo retorikë, por mbi drejtësi, rikthim të të drejtave të mohuara, dhe mbi një kujtesë që nuk pranon të fshihet.”/Rilindjashqiptare/

Related Posts