Mbrëmë, vendi ku po punohet për ndërtimin e urës së re për këmbësorë mbi Ibër, pranë “Tre Rrokaqiejve” në Mitrovicë, u vërshua nga uji.

Sipas Faruk Mujkës, drejtor i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, kjo ndodhi për shkak të rritjes së nivelit të ujit në digën e Pridvoricës pas reshjeve të shumta ditëve të fundit, si dhe me rrëshqitjen e kanalit te Zubin Potoku, që sipas tij, detyroi drejtimin emergjent të ujit në lumë.

Mujka theksoi se, pavarësisht dëmeve materiale, konstruksioni i urës nuk ka qenë i rrezikuar, ndërsa shton se ky rast nuk është shkaktuar nga faktori njeri, por që sipas tij, dora e njeriut ka ndihmuar në minimizimin e dëmit të mundshëm.

“Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka kriju dëmin por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë. Aty në punishte për shkak të punimeve është krijuar një fyt i ngushtë i cili nuk ka mundur ta përcjellë nivelin e ardhur”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai bëri të ditur se niveli i ujit u stabilizua brenda një ore dhe punimet për sanimin e kanalit kryesor vazhdojnë për të mbajtur ujin nën kontroll.

Ai gjithashtu apeloi që rasti të mos përdoret për qëllime politike ose elektorale, duke e cilësuar situatën si një problem operacional dhe teknik, për të cilin kompania dhe institucionet kanë përgatitur plane pune që nga fillimi i korrikut.

“Ky rast të mos përdoret as për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëj me to. Është thjeshtë çështje operacionale. Andaj edhe deklarimet të jenë të balancuara e posaçërisht nga operatori ekonomik për të cilin nga fillimi i korrikut e kemi përgatitur planin e punës sonë pa marr parasysh nevojat reale dhe humbjet financiare të ndërmarrjes sonë. Me siguri se edhe ai ka pjesën e vetë të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes”, u shpreh Mujka.

Related Posts