Gjykata Kushtetuese e ka caktuar 26 korrikun si afatin e fundit për konstituimin e Kuvendit, por kjo pritet të ndodh më herët. Çelsi i kësaj zgjidhjeje pritet të jetë emri i kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj. Ky i fundit tregoi se do të pi një kafe me kryetarin e VV, Albin Kurti, por fillimisht sot e takoi presidenten e vendit Vjosa Osmanin, shkruan Periskopi.

A po konstituohet Kuvendi të hënën?

Paralajamërimet se kuvendi i Kosovës do të konsituohet javën e ardhshme kanë ardhur nga Vetëvendosje dhe NISMA.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu mund “të sakrifikohet”  duke heq dorë nga kandidimi për kryeparlamentare dhe stafetën t’ia kaloi kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj.

Haxhiu tha se kanë vullnet për të bashkëpunuar me partinë e “Çelikut”.

“Ato do të ndodhin, gjegjësisht do të ketë takime të kryetarit Kurti me kryetarin Limaj dhe pasi të përmbyllen ato do të ketë njoftim për opinionin publik përmes mediave nëse do të ketë apo jo marrëveshje. Qëndrimi i VV-së është i qartë, i takon propozimi për kryeparlamentar gjegjësisht me Kushtetutën e Kosovës dhe me dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi dëgjuar përfaqësuesit e Nismas, megjithatë meqë ka takime duhet ti presim ato të ndodhin dhe të iu njoftojmë për marrëveshjen nëse ka”, kishte thënë Haxhiu ndër të tjera.

Se pritet të ketë një zgjidhje të hënën ka paralajmëruar edhe deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku.

“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku për Radion Evropa e Lirë.

Presidentja “ultimatum” partive, deri në vikend institucionet ose në Kushtetuese

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë një konference për medie ka parlajamëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.

“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.

“Unë jam e bindur që sikur për çdo afat tjetër, afat detyrues, edhe për këtë afat të cilin Gjykata e ka shpallur të detyrueshëm dhe kushtetues, nëse nuk respektohet, duhet të ketë pasoja juridike. Nuk po flas për pasoja penale. Pasoja juridike nënkupton se çfarë ndodh me institucionet nëse ato nuk konstituohen deri më 26 korrik?”, ka pyetur Osmani.

Kujojmë se Kuvendi ka dështuar të konstituohet për herën e 48-të.

Related Posts