Prishtinë, 14 qershor 2025 – Si pasojë e punimeve teknike në kanalin Ibër-Lepenc, është rritur ndjeshëm niveli i turbullirës së ujit, çka ka bërë të pamundur trajtimin e tij sipas standardeve të kërkuara për ujë të pijshëm. Për këtë arsye, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të prodhimit të ujit në Fabrikën e Trajtimit në Shkabaj.

Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin me ujë të pijshëm për qytetet dhe zonat si: Fushë Kosova, Obiliqi, Drenasi, si dhe lagjja “Kalabria” në Prishtinë. Në njoftim zyrtar, kompania ka theksuar se lagjet tjera të Prishtinës do të ndiejnë ndikim minimal nga kjo ndërprerje.

“Qëllimi ynë është ruajtja e cilësisë së ujit për konsum human dhe për këtë arsye, përkohësisht kemi ndërprerë punën në fabrikën e Shkabajt. Do të njoftojmë me kohë për çdo ndryshim apo përmirësim të situatës,” thuhet në komunikatën zyrtare të KRU “Prishtina”.

Ndërkohë, Redaksia e “Rilindjes Shqiptare” ka tentuar të kontaktojë përfaqësuesit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, por nuk ka arritur të sigurojë një reagim të drejtpërdrejtë deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.

Qytetarëve të prekur u rekomandohet që të bëjnë përdorim racional të rezervave ekzistuese të ujit dhe të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve zyrtare të kompanisë deri në normalizimin e gjendjes.

Related Posts