Influencuesja dhe sipërmarrësja braziliane Natália Cavanellas ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare, pasi pësoi ndërlikime të rënda gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale kozmetike në São Paulo.
Sipas raportimeve të CNN Brasil, Cavanellas pësoi një arrest kardiorespirator gjatë procedurës.
Rasti është regjistruar si “vdekje e papritur” nga Sekretariati i Sigurisë Publike të São Paulos, ndërsa autopsia për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes është ende në proces nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Në rrjetet sociale, Cavanellas njihej si një grua, nënë dhe sipërmarrëse e përkushtuar. Ajo drejtonte një komunitet të fuqishëm me mbi 800 gra sipërmarrëse dhe kishte mbi 100 mijë ndjekës në profilin e saj privat në Instagram, si dhe afro 30 mijë ndjekës në faqen e saj të dedikuar për rrjetëzim dhe strategji pozicionimi.
Lajmin e hidhur e konfirmoi bashkëshorti i saj, Rafael Thomazella, përmes një postimi emocional në Instagram.
Natalia ishte një grua e mrekullueshme, e pavarur, profesioniste dhe e dashur. Do t’ia tregoj gjithmonë Manoellës se sa e jashtëzakonshme ishte nëna e saj -shkroi ai, duke ndarë edhe foto familjare me ndjekësit.
Ndërkohë, mjeku Edgar Lopez, i cili kreu ndërhyrjen kirurgjikale, përmes përfaqësuesve të tij dha një deklaratë ku thuhet se operacioni u krye në kushte të rregullta spitalore, me të gjitha protokollet e sigurisë të zbatuara dhe ekzaminimet paraoperative të përfunduara.
Fatkeqësisht, pacientja zhvilloi një ndërlikim serioz të përputhshëm me embolizmin pulmonar – një rast i rrallë, por i njohur në literaturën mjekësore si i mundshëm, edhe në rastet kur merren të gjitha masat parandaluese.