Hudhra është një nga bimët më shëruese që mund të gjendet në shtëpinë tuaj, por për disa persona mund të paraqesë problem
Alergjia ndaj hudhrës, megjithëse nuk është e zakonshme, mund të shkaktojë simptoma të ndryshme që ndikojnë në lëkurë, frymëmarrje, traktin gastrointestinal dhe, në raste të rralla, mund të çojë edhe në anafilaksi.
Hudhra është një erëz e zakonshme që përdoret në shumë gatime. Vlerat shëruese të saj njihen prej mijëra vitesh, ndërsa alergjitë ndaj saj janë të rralla, por të mundshme.
Personat që janë alergjikë ndaj hudhrës, zakonisht janë të ndjeshëm ndaj enzimave alinaza, të cilat shndërrohen në alicin, një përbërës me përmbajtje squfuri që i jep hudhrës aromën karakteristike. Shumë nga vetitë shëruese të hudhrës i atribuohen pikërisht alicinit. Megjithatë, alicini është një substancë e paqëndrueshme, që qëndron vetëm për pak kohë në hudhrën e freskët, menjëherë pasi pritet ose shtypet.
Prekja ose konsumimi i hudhrës mund të shkaktojë reagime të lidhura me sistemin imunitar, si dermatit alergjik, rinit alergjik, astmë, shqetësime gastrointestinale apo probleme në gojë dhe buzë, transmeton Telegrafi.
Dermatit alergjik
Personat që kanë alergji ndaj hudhrës shpesh zhvillojnë dermatit alergjik pas kontaktit ose manipulimit me hudhrën e freskët. Kjo gjendje e lëkurës është një formë ekzeme që mund të shkaktojë:
▪ Puçrra të vogla (urtikarie)
▪ Skuqje të lëkurës me kruarje
▪ Ënjtje dhe irritim
▪ Djegie ose flluska (nëse nuk trajtohen).
Nëse reagimi alergjik është i rëndë, këto simptoma mund të shfaqen edhe nëse përdoren doreza gjatë kontaktit me hudhrën.
Astma
Shumë njerëz me alergji ndaj hudhrës raportojnë simptoma të astmës. Simptomat respiratore mund të jenë nga fishkëllimë e lehtë gjatë frymëmarrjes, deri te frymëmarrje e vështirësuar apo e përshpejtuar. Zakonisht, përveç problemeve me frymëmarrjen, paraqiten edhe simptoma të tjera në rast kontakti me hudhrën.
Simptomat gastrointestinale
Ashtu si shumë alergji të tjera ushqimore, alergjia ndaj hudhrës shpesh shkakton edhe shqetësime në traktin tretës. Disa nga simptomat që mund të shfaqen pas konsumimit të ushqimeve me hudhër janë:
▪ Diarre e fortë ose e vazhdueshme
▪ Të vjella
▪ Dhimbje barku
▪ Ngërçe.
Simptomat në gojë dhe buzë
Alergjia ndaj hudhrës mund të prekë drejtpërdrejt gojën dhe buzët. Pas konsumimit ose kontaktit me hudhrën mund të ndjeni kruarje, djegie ose irritim në gojë, fyt dhe/ose buzë.
Dallimi mes alergjisë dhe intolerancës ndaj hudhrës
Ashtu si ekziston një ndryshim i madh mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore, edhe alergjia ndaj hudhrës duhet dalluar nga intoleranca ndaj saj, pasi bëhet fjalë për dy gjendje të ndryshme.
Një alergji e vërtetë ndaj hudhrës, që shkakton simptomat e përshkruara më lart, është e rrallë. Më e zakonshme është intoleranca ndaj hudhrës, që do të thotë vështirësi në tretjen e disa përbërësve të saj.
Simptomat e intolerancës zakonisht janë më të lehta se ato të alergjisë dhe përfshijnë:
▪ Fryrje ose gazra në bark
▪ Dhimbje barku
▪ Diarre
▪ Të vjella
▪ Urth.
A do të thotë alergjia ndaj hudhrës edhe alergji ndaj qepës?
Edhe pse alergjia ndaj hudhrës nuk nënkupton domosdoshmërisht alergji ndaj qepës, ka gjasa që një person të jetë alergjik ndaj të dyjave. Si pjesë e familjes Allium, qepa përmban shumë përbërës të njëjtë me hudhrën.
Prandaj, nëse keni një diagnozë të konfirmuar për alergji ndaj hudhrës, këshillohet të konsultoheni me mjekun ose alergologun për të përjashtuar alergjitë ndaj erëzave dhe perimeve të ngjashme.
Si diagnostikohet alergjia ndaj hudhrës?
Nëse vëreni simptoma të përsëritura pas konsumimit ose kontaktit me hudhrën, duhet të konsultoheni me mjekun për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për alergji apo intolerancë. Mjeku mund t’ju referojë te një alergolog për testime më të detajuara.