Njerëzit e ekspozuar ndaj niveleve më të larta të ndotjes së ajrit duket se kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një lloj tumori në tru që zakonisht nuk shkakton kancer, por mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore, ka zbuluar një studim i ri.

Meningiomat janë lloji më i zakonshëm i tumorit primar të trurit dhe rriten aq ngadalë sa mund të duhen vite para se të zbulohen. Ato burojnë nga membranat që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore.

Rrallë janë kancerogjene, por meningiomat mund të shkaktojnë paaftësi të tjera duke prekur indet, nervat ose enët e trurit aty pranë.

Për studimin, studiuesit ndoqën gati katër milionë të rritur në Danimarkë gjatë një periudhe 21-vjeçare. Rreth 16,600 njerëz zhvilluan tumore të sistemit nervor qendror, përfshirë rreth 4,600 që zhvilluan meningiomë.

Njerëzit me më shumë ekspozim ndaj ndotjes së ajrit ishin në rrezik më të lartë për meningjomë, zbuloi analiza – por nuk kishte një lidhje të fortë midis ndotjes së ajrit dhe tumoreve më agresive të trurit, siç janë gliomat.

Rreziqet më të mëdha vinin nga grimcat ultra të imëta nga shkarkimet, tymi dhe emetimet.

Studimi nuk vërteton se ndotja e ajrit shkakton meningjomën, por vetëm se ekziston një lidhje midis të dyjave.

Por kjo i shtohet numrit gjithnjë e në rritje të provave se ndotja e ajrit është e dëmshme për shëndetin e njerëzve. Hulumtime të tjera kanë treguar se grimcat ultra të imëta mund të kalojnë barrierën gjak-tru dhe mund të dëmtojnë indet e trurit.

Related Posts