Kërkesa të ndryshme kanë parashtruar subjektet politike të cilat kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje në formimin e institucioneve. Një nga to është edhe ulja e pragut zgjedhor. Në kabinetin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk kanë treguar nëse janë pranuar kërkesat në këmbim të votës.

Ulja e pragut zgjedhor për të hyrë në Kuvend, është një prej kërkesave të Nismës Socialdemokrate për t’ia dhënë mbështetjen Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve.

Kërkesa e partisë që garoi në listë me AAK-në dhe siguroi tri ulëse në Kuvend, është bërë publike nga deputeti i Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, të enjten mbrëma në KONFRONT të KTV-së.

“Nisma më shumë është duke kërkuar ato të cilat janë disa nga parimet. Një prej tyre është edhe ulja e pragut zgjedhor, të cilin e ka kërkuar nga ne dhe të gjitha partitë se kjo është për të gjitha partitë”, ka thënë ai.

Njoftimi i Avdylit nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë as nga eksponentë të Nismës e as nga ata të Vetëvendosjes.

Për të siguruar ulëse në Kuvend, sipas Ligjit për Zgjedhje, subjekti politik duhet të fitojë së paku 5 për qind të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme.

Këtë prag prej 5%, Nisma pati arritur ta kalojë në 2019-n, por jo edhe në zgjedhjet e organizuara dy vite më vonë.

Për ta votuar kryeparlamentarin dhe për ta krijuar Qeverinë, përveç tri votave të Nismës, Vetëvendosjes i duhen edhe së paku 10 të tjera, për të cilat ka zhvilluar komunikim me subjektet që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, përjashtimisht me Listën Serbe.

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës ka thënë se bashkëpunimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, synon ta vazhdojë edhe për katër vjet.

“Biseda konkrete kemi pasur për strategjinë e komuniteteve dhe për të plotësuar përfaqësimin e komuniteteve nëpër institucione sipas Ligjit për zyrtarët publikë. Besojmë se kontributi jonë do të vazhdoj edhe me përfaqësimin e komunitetit turk në qeveri ku kemi dëshmuar që mund të bëjmë shumë më shumë për Kosovën dhe komunitetin turk. Po ashtu është diskutuar për arsimin në gjuhën turke dhe kulturën e komunitetit turk në Kosovë”, ka thënë Fikrim Damka.

E deputeti i zgjedhur nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, Artan Asllani, ka thënë se nga Kurti ka kërkuar që t’i adresojë problemet me të cilat përballet komuniteti që i përket.

“Në veçanti, kemi theksuar nevojën për projekte kapitale në lagjet ku jeton komuniteti ashkali si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik. Nuk kemi kërkuar thjesht pozita politike, por angazhim konkret për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Ne kemi bërë të qartë se nuk hezitojmë të marrim përgjegjësi, madje jemi të gatshëm edhe për pozita të larta nëse ato vijnë si pjesë e një angazhimi të ndërsjellë për t’i shërbyer Qeverisë. Megjithatë, asnjëherë nuk do të lejojmë që vota jonë për formimin e qeverisë të kushtëzohet nga ndarja e pozitave”, është shprehur ai.

Në lidhje me kërkesat që ka pranuar Kurti dhe për gatishmërinë për adresimin e tyre, Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, as Damka e as Asllani nuk kanë treguar për përgjigjet që eventualisht i kanë marrë nga Kurti.

Related Posts