Në kuadër të aktiviteteve të punës së të burgosurve, në Qendrën e Paraburgimit në Pejë është realizuar një aktivitet i përbashkët mes të burgosurve dhe stafit mirëmbajtës, me qëllim përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe rritjen e nivelit të pastërtisë në institucion.
Gjatë këtij angazhimi janë pastruar hapësirat e brendshme të objektit, dritaret, si dhe janë ngjyrosur dyert dhe muret, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të rregullt, funksional dhe më higjienik për qëndrimin e të burgosurve.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, përfshirja aktive në punë ka ndikim të drejtpërdrejtë në përditshmërinë e të burgosurve, duke nxitur ndjenjën e përgjegjësisë, disiplinës dhe kujdesit për ambientin e përbashkët. Aktivitetet e tilla, përveç aspektit praktik, kanë edhe rol edukativ dhe social.
Po ashtu, këto iniciativa konsiderohen si pjesë e rëndësishme e procesit të risocializimit, pasi ndihmojnë në zhvillimin e shprehive pozitive të punës dhe përgatitjen e të burgosurve për një riintegrim më të suksesshëm në shoqëri pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.






















