Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi ka njoftuar se në qendër të Bujanocit janë shfaqur grafite me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq.
Ai në një postim në Facebook tha se shfaqja e tyre është dëshmi e rrënimit të sigurisë dhe mosndëshkimit institucional.
“Në një qytet me shumicë shqiptare, në vitin 2025, të shfaqet publikisht emri i gjeneralit të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, bashkë me simbole nacionaliste e urrejtëse, është dëshmi e qartë e rrënimit të sigurisë publike dhe mosndëshkimit institucional”.
“Në gusht, u thye billboard-i i Komandant Lleshit, në përvjetorin e rënies së tij. Asnjë reagim nga autoritetet. As policore. As institucionale. Paraprakisht ishin shfaqë grafite me thirrje për vrasje të shqiptarëve dy herë tek Shtëpia e Shëndetit. Prapë heshtje. Sot, kemi këtë: “РАТКО МЛАДИЋ” me të kuqe në qendër të qytetit me katër C. E njohim mirë këtë stil. Nacionalizëm, provokim dhe frikësim i qëllimshëm i shqiptarëve në vendin e tyre”, tha ai.