Valbona Krasniqi, një grua dhe nënë vetushqyese e një djali 11-vjeçar në Mitrovicë ka alarmuar se i biri i saj po rrahet, shantazhohet, ofendohet e kërcënohet me armë të ftohta nga disa nxënës të tjerë të shkollës “Abdullah Shabani” në dhe fëmijë të tjerë të të njëjtës moshë në këtë qytet.

Krasniqi tha se shqetësimin e saj e ka ngritur tek prindërit e fëmijëve që sipas saj, po ia kërcënojnë të birin, tek drejtori i shkollës dhe tek kujdestarja e klasës.

Mirëpo, kjo ngjarje sot ka arritur në përmasa më të mëdha ku djali im dhe unë sot gjatë ditës jemi paraqitur edhe në stacionin policor Mitrovicë. Kujdestarja e klasës e cila është në dijeni për rastin si masë ndëshkuese ka marrë vendim që djali im të largohet nga klasa, pa dijeninë time, më ka premtuar se do ta largoj fëmijën problematik”.

“Edhe pasi është vendos djali im në paralele tjetër, po i njëjti fëmijë problematik me disa fëmijë të tjerë kanë shkuar në paralele ku është djali im dhe kanë ushtruar dhunë fizike”.

“Djali nuk ka shkuar sot në shkollë (e që nuk është e para herë që mungon shkaku i frikës) nga të vjellurat, temperatura dhe traumat e shkaktuara nga këta bashkëmoshatar të tij”, shkroi Krasniqi në llogarinë e saj në Facebook.

Më tej, Krasniqi tha se i është dashur ta ndërpres praktikën dhe të mbes pa punë për të qëndruar me djalin e saj 11-vjeçar në ambientin shkollor, nga frika siç tha ajo, se po i kthehet djali i saj në shtëpi i rrahu, i plagosur apo edhe i vdekur.

“Si do të arrijë im bir shkallën e zhvillimit dhe të mësimit të tij duke u larguar nga klasa, nga shkolla për gjasma mbrojtjen e tij!? Unë si nënë e vetme dhe pa përkrahje tash e 13 vitet me qira dhe shumë vështirësi të mëdha ekonomike, sociale, shëndetësore ku duhet ta shkolloj tim bir? Ku duhet ta siguroj tim bir?”.

“Ata sot e shantazhuan se im bir duhet t’ua mbaj cigaret elektrike në çantën e tij dhe me refuzimin e djalit tim ata e goditën, iu hodhën mbi 10 fëmijë të tjerë sipër duke e shtypur derisa volli. Pas ankesës time dhe takimit me prindër më është drejtuar privatisht drejtori i kësaj shkolle me fjalët: A je e vetëdijshme me kë po rrokesh, janë familje problematika”, shkroi më tej ajo, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Krasniqi tha se pas bisedës që ka pasur me prindërit dhe drejtorin e kësaj shkolle, ka ardhur në përfundim se “prindërit e fëmijës dhunues janë të fortë dhe kanë imunitet edhe përballë ligjit”.

Më këshillojnë të heshti dhe ta largojë djalin nga ajo shkollë. Me çfarë, me cilat financa unë tani t’ia siguroj fëmijës tim librat, pasi siç e dimë shkollat punojnë me libra të botuesve të ndryshëm”.

“Ndjesë por, nuk heshti më, për fëmijën tim të cilin e rrita me shumë mund, pa strehim dhe me shumë peripeti tjera. Jo, më nuk heshti”, përfundoi Krasniqi.

Related Posts