Ardian Kastrati, kandidat edhe për një mandat në Kuvend nga PDK ka dalë publikisht me akuza drejt kryetarit të kësaj partie, Memli Krasniqit duke thënë se së bashku “me dosta” u mobilizua që t’ia bllokonte votën.
Kastrati thotë se nuk është votuar sa duhet në këto zgjedhje sepse “i ka prishur matematikat e PDK-së për të bërë koalicion qeveritar me VV-në”.
Ai shton se për këtë arsye “bandat e Memlit ia kanë bllokuar votën” dhe rrjedhimisht s’do të bëhet deputet.
I kam thënë këtij Memlit, pas takimit të tij me Kurtin, që nëse bën koalicion me VV-në (për interesa të Memlit) unë jo vetëm që do të kundërshtoj publikisht, por kudo që je ti, duke ngrënë darkat e tua të shtrenjta në Hotel Emerald, do të vij të gjuaj me ngjyrë në LULE TË BALLIT”, ka shkruar Kastrati në Facebook
Siç thotë ai, kishte një mobilizim të gjerë në PDK për t’ia bllokuar votën atij.
“QËLLIMIN E KAM ARRITUR. Ky Memli nuk guxon të bëj më koalicion me Kurtin.”, ka shkruar ai.
Kastrati po ashtu potencon se dallimi i tij me Memli Krasniqin është se ai ka “kontratë ideologjike” me PDK-në, kurse Krasniqi me ata që i ka quajtur “dostat e tij të Bon-Vivantit” ka “kontratë afariste” me këtë parti.
“Dallimi im me Memlin është se unë dhe familja ime kemi kontratë ideologjike me PDK-në këtu e 30 vite, ndërsa Memli e dostat e tij të Bon Vivant-it kanë vetëm kontratë afariste me PDK-në!”, ka nënvizuar Ardian Kastrati.
Në fund ai thotë se me Bedri Hamzën PDK doli 22 % kurse pa Hamzën e me Memli Krasniqin do të dilte vetëm 13 %.
“Memli Krasniqi është kryetari më i dobët që PDK mund ta ketë në 2000 vitet e ardhshme… se për të kaluarën as që bëhet fjalë”, shkruan ai.