Nga mëngjesi deri në mbrëmje, ne jemi të bombarduar me njoftime që kërkojnë vëmendjen tonë, gjë që çon në ndjenja stresi dhe shpërqendrimi.

Hulumtimi i ri nga Amazon Kindle ka treguar se ne jemi më të varur nga pajisjet tona teknologjike sesa mendojmë.

“Çdo njoftim – qoftë ai me ton, vibrues apo vizual – perceptohet nga truri ynë si diçka që kërkon vëmendje urgjente”, shpjegon neuroshkencëtari Mark Williams për New York Post.

Ai shton se, pas një shpërqendrimi, na duhen 60 deri në 90 sekonda për t’u përqëndruar plotësisht në detyrë përsëri.

Përveçse pengojnë përqendrimin, njoftimet e vazhdueshme mund të shkaktojnë lodhje mendore, duke rritur numrin e gabimeve dhe duke na lënë të rraskapitur, edhe nëse nuk kemi bërë shumë gjatë ditës. Por problemi nuk është vetëm me njoftimet hyrëse – shumë njerëz i kërkojnë ato në mënyrë aktive vetë.

“Njoftimet mund të nxisin lirimin e dopaminës, e cila çon në kontrollin kompulsiv të telefonit”, paralajmëron Williams, duke shtuar se ky zakon i kontrollit të njoftimeve është i ngjashëm me një varësi. Kjo çon në stres për 86 për qind të njerëzve, veçanërisht në mbrëmje, ndërsa pothuajse 70 për qind e të anketuarve pranojnë se kontrollimi i pajisjeve të tyre i bën ata të shkojnë në shtrat më vonë se sa ishte planifikuar, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.

Përdorimi i kufijve kohorë në aplikacione mund të ndihmojë në ruajtjen e një ekuilibri midis jetës në internet dhe asaj reale

Një mënyrë për të reduktuar ndikimin negativ të teknologjisë është të fikni njoftimet dhe të krijoni një mjedis pa shpërqendrim, thotë Williams. Gjithashtu rekomandohet të fikni pajisjet të paktën një orë para gjumit. “Leximi inkurajon trurin të përqendrohet më thellë dhe redukton nevojën për stimuj të shpejtë digjitalë”, shton ai.

Gjatë ditës, ai rekomandon çaktivizimin e njoftimeve të panevojshme, përdorimin e modalitetit “Mos shqetëso” gjatë punës dhe vendosjen e pajisjeve jashtë shikimit për të reduktuar shpërqendrimet. Në vend që t’i përgjigjeni vazhdimisht çdo njoftimi, eksperti këshillon të vendosni orare fikse për kontrollimin e mesazheve dhe emaileve.

“Nëse doni të reduktoni kohën para ekranit, por të mos humbni kontaktin me miqtë, organizoni kafe ose telefonata”, sugjeron ai. Gjithashtu, përdorimi i limiteve kohore në aplikacione mund të ndihmojë në ruajtjen e një ekuilibri midis jetës në internet dhe asaj reale.

Related Posts