Gazetari i Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, është vrarë nga një sulm ajror izraelit pranë spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, së bashku me katër kolegë të tjerë të medias. Një postim prekës, i cilësuar si “testamenti i fundit”, u publikua në rrjetet sociale pas vdekjes së tij, duke u bërë fjalë të fundit që ai kishte përgatitur për botën në rast se nuk do të mbijetonte.
“Nëse këto fjalë ju arrijnë, dijeni se Izraeli ka arritur të më vrasë dhe të më mbyll gojën,” shkruhej në mesazhin që, sipas burimeve, është publikuar nga një mik i tij pas konfirmimit të vdekjes.
Al-Sharif, 28 vjeç, e nisi mesazhin e tij me fjalë besimi dhe përkushtimi ndaj misionit të tij si gazetar në shërbim të së vërtetës dhe popullit të tij. Ai tregoi se ishte rritur në rrugicat e kampit të refugjatëve në Jabalia dhe se i kishte qëndruar besnik raportimit të realitetit, pavarësisht dhimbjes së përjetuar në mënyrë të përsëritur.
“Kam jetuar dhimbjen në të gjitha format e saj dhe e kam shijuar humbjen herë pas here. Por kurrë nuk kam hezituar të përcjell të vërtetën pa shtrembërime. Zoti qoftë dëshmitar kundër atyre që heshtën, që pranuan vrasjen tonë, që nuk i tronditi as gjaku i grave dhe fëmijëve tanë,” shkroi ai.
Në mesazhin e tij të fundit, gazetari u bëri thirrje banorëve të Gazës që të mos lejojnë që kufijtë dhe ndalimet t’u shuajnë zërin dhe shpresën:
“Bëhuni ura për çlirimin e vendit dhe popullit, që dielli i dinjitetit dhe lirisë të ndriçojë mbi atdheun tonë të grabitur.”
Ai kërkoi gjithashtu që njerëzit të kujdesen për familjen e tij: vajzën që nuk kishte arritur ta shihte të rritej, djalin, bashkëshorten dhe nënën.
“Vdes i qëndrueshëm në parimet e mia, i bindur në takimin me Zotin, dhe i sigurt se ajo që është tek Ai është më mirë dhe e përjetshme. Mos e harroni Gazën. Dhe mos më harroni mua në lutjet tuaja,” përfundoi ai.
Së bashku me al-Sharif, në të njëjtin sulm u vranë edhe gazetari tjetër i Al Jazeera-s, Mohammed Qreiqeh, dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Moamen Aliwa dhe Mohammed Noufal. Lajmi u dha me lot në sy nga një prezantues i Al Jazeera-s, i cili mezi përmbajti emocionet ndërsa raportonte për vdekjen e kolegëve të tij.