Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka bërë thirrje publike për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të reflektojnë dhe të votojnë buxhetin për RTK-në.
Përmes një letreje të hapur, SPERTK-ja thotë se gjendja e rëndë e punëtorëve, që tash e tri javë nuk kanë rroga, po cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe vetë stabilitetin e funksionimit të RTK-së.
“RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi i Kosovës, për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim të drejtë, profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen” thuhet në letër.
Kjo është thirrja e plotë:
Nesër, Kuvendi i Kosovës ka në rend dite çështjen e buxhetit të Radio Televizionit të Kosovës, një temë që tejkalon çdo debat të përditshëm politik dhe prek drejtpërdrejt funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenjen e 700 familjeve kosovare.
Prej tre javësh, mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk e kanë marrë pagën e muajit tetor. Kjo gjendje e rëndë po cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe vetë stabilitetin e funksionimit të RTK-së.
Prandaj, Sindikata e Pavarur e RTK-se ju bën thirrje që nesër të reflektoni me maturi, seriozitet dhe përgjegjësi, në mënyrë që mbi 700 punëtorë të RTK-së t’i marrin pagat dhe të sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin normal të mediumit publik.
RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi i Kosovës, për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim të drejtë, profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
Pavarësisht bindjeve dhe ndarjeve partiake, çështja e transmetuesit publik është përgjegjësi e përbashkët institucionale.
























