Pas temperaturave të larta që arritën deri në 28°C të shtunën në Kosovë, masat e nxehta kanë filluar gradualisht të largohen drejt juglindjes së kontinentit, si pasojë e ardhjes së masave të ftohta nga veriu i kontinentit me origjinë polare.
Sot, temperaturat kanë pësuar një rënie prej të paktën 7-8°C, ndërsa moti është karakterizuar me diell, vranësira të pakta dhe erëra të fuqishme. Gjatë orëve të para të 24-orëshit pati edhe rrebeshe të izoluara shiu me karakter lokal, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit.
Duke filluar nga dita e nesërme (e hënë), pritet një destabilizim i fuqishëm i motit, me vranësira të shpeshta dhe reshje shiu, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh në zona të caktuara. Në zonat malore priten reshje bore. Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, rreth 10°C maksimalet. Megjithatë, pasdite do të pësojnë të mëtejshme.
Gjatë orëve të vona të mbrëmjes, sidomos nga mesnata dhe gjatë natës, reshjet e borës pritet të shtrihen edhe në zona të ulëta, ndonëse në sasi të pakta.
Dita e martë do të mbetet nën ndikimin e plotë të masave të ftohta, duke vijuar me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell. Herë pas here do të ketë edhe reshje të izoluara bore. Temperaturat maksimale do të zbresin afër pikës së ngrirjes, pra, do të jetë një mot tipik dimëror.
Nga dita e mërkurë, temperaturat maksimale do të fillojnë gradualisht të rriten, ndërsa mëngjeset pritet të jenë me acar të fortë, me temperatura minimale deri në -6°C.