Shtatë raste të vrasjeve janë shënuar në Kosovë gjatë periudhës janar–qershor të këtij viti, sipas një raporti të publikuar sot nga Policia e Kosovës.

Vrasja e parë për këtë vit ndodhi në Ferizaj, ku një i ri i shpallur fillimisht i zhdukur, u gjet i pajetë më 5 shkurt në një zonë malore. Viktima, B.V., ishte raportuar i zhdukur më herët, ndërsa për vrasjen e tij është arrestuar një person me inicialet L.F, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Vetëm një javë më vonë, më 12 shkurt, një ngjarje e rëndë ndodhi në Skenderaj, ku një 43-vjeçar u vra.

Më 23 mars, një 19-vjeçar humbi jetën në Vushtrri, ku i dyshuari për vrasjen është një bashkëmoshatar i viktimës, i cili ndodhet në paraburgim dhe ka pranuar fajësinë.

Një ditë më pas, po në Vushtrri, ndodhi një vrasje e dyfishtë. Një burrë dyshohet se vrau një grua dhe më pas kreu vetëvrasje. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Stanoc.

Më 26 mars, në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, një person rreth të 60-ave ndërroi jetë si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri. I dyshuari për këtë vrasje është ende në arrati, ndërsa një tjetër person u plagos gjatë incidentit dhe ndodhet në gjendje stabile. Sipas hetimeve paraprake, i plagosuri besohet të ketë qenë shënjestra e sulmit, ndërsa viktima nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Një tjetër rast tronditës ndodhi më 1 prill në Kaçanik, kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra para banesës së tij në orët e mbrëmjes.

Ndërkohë, në fillim të majit, një shtetas turk vrau vajzën e tij në Kosovë, në një tjetër akt tragjik që shkaktoi reagime të ashpra në opinionin publik.

E së fundmi në Kosovë ndodhi edhe një ngjarje e rëndë. Agon Zejnullahu një 27-vjeçar nga Lipjani vdiq në duart e Policisë së Kosovës. Pesë zyrtarë policor po akuzohen për “vrasje nga pakujdesia”. Rasti i tij nuk është prfshirë në statistikat e Policisë, meqë ka ndodhur në korrik. Të dhënat e Policisë përshijnë periudhën janar-qershor.

Related Posts