Një ngjarje tragjike u shënua mbrëmë në orët e vona në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku si pasojë e një shembje të një objekti tre banuar, tre persona të moshës së re humbën jetën, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve të para, tragjedia ka ndodhur pas rrëzimit të pllakës së një shtëpie të pabanuar.
Sinjali mësoi se fëmijët që vdiqën tragjikisht janë Ideal Ramaj, Ramë Mehmetaj dhe Veton Morina, rreth 13 dhe 15-vjeçarë.
Detaje të reja ka dhënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Ai tha se vdekja e tre fëmijëve erdhi si pasojë e shembjes së pllakës se një shtëpie të pabanuar.
“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha ai.
Vdekjen e të miturve e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes, ndërsa trupat e viktimave tashmë janë dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Gjakovës.
The post Ngjarja tragjike në Gjakovë, Policia: Është shembur pllaka e një shtëpie të pabanuar, zuri poshtë tre fëmijë appeared first on Sinjali.