Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës kryeqytetin, ku një burrë është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së tij, në rrethana që po hetohen nga autoritetet.

Ngjarja ka ndodhur më 28 janar 2026, rreth orës 19:50, në rrugën “Ismajl Ismajli” në Prishtinë. Sipas informatave, Policia është njoftuar nga një person i cili ka raportuar se vëllai i tij, J.J., ishte gjetur i shtrirë në krevat, pa shenja jete.

Njësitë policore të Stacionit Policor “Veriu” kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa është thirrur edhe ndihma e shpejtë. Ekipi mjekësor ka arritur në vendngjarje rreth orës 20:20, ku ka konstatuar vdekjen e personit.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, si dhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, për të kryer procedurat e nevojshme.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të cilësohet si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi, me qëllim të sqarimit të plotë të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

Related Posts