Kosovë – Me rritjen e temperaturave në të gjithë vendin, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka paralajmëruar qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj rishfaqjes së gjarpërinjve, sidomos në zonat rurale dhe pyjore.
Kjo periudhë e vitit karakterizohet nga aktivitet i shtuar i këtyre zvarranikëve, të cilët mund të shfaqen edhe pranë shtëpive, në fusha, bar të gjatë apo afër burimeve të ujit.
Ndër gjarpërinjtë që gjenden në Kosovë, më helmuesi mbetet vipera (nepërka), e cila megjithëse rrallë kafshon, mund të jetë e rrezikshme nëse nuk trajtohet në kohë.
Ku mund të shfaqen gjarpërinjtë?
- Në shtigje malore, rrugë me gurë apo shkëmbinj
- Fshehur në bar të gjatë, shkurre, nën trungje apo grumbuj druri
- Pranë ujërave apo në vende me hije gjatë ditëve të nxehta
Masat për t’u mbrojtur:
- Veshja e këpucëve të mbyllura dhe pantallonave të gjata gjatë ecjeve në natyrë
- Përdorimi i një shkopi për të kontrolluar shkurret para se të ecni
- Shmangia e ngritjes së gurëve ose trungjeve pa kontroll
- Kujdes në zonat me bar të gjatë dhe pastrim i oborreve apo pronave nga mbeturinat dhe barërat e këqija
Në rast kontakti me një gjarpër:
Fondacioni këshillon që nuk duhet tentuar vrasja e gjarprit dhe as afrimi me të. Është e rëndësishme të qëndroni të qetë dhe të largoheni ngadalë. Fëmijët duhet të jenë të edukuar që të mos afrohen dhe të njoftojnë një të rritur nëse hasin një gjarpër.
Çfarë të bëni nëse kafshoheni:
- Qëndroni të qetë dhe imobilizoni gjymtyrën e kafshuar
- Mos e preni plagën dhe mos tentoni të thithni helmin
- Thërrisni urgjencën në 112 ose shkoni menjëherë në spital
- Nëse është e mundur, kujtoni pamjen e gjarprit për të ndihmuar mjekët, por pa rrezikuar veten
Roli i gjarpërinjve në natyrë
Edhe pse shpesh krijojnë frikë, shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues. Ata kanë një funksion të rëndësishëm në ekosistem, duke ndihmuar në kontrollin e brejtësve dhe dëmtuesve.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve bën thirrje për kujdes dhe respekt ndaj jetës së egër, duke informuar dhe mbrojtur njëkohësisht komunitetet dhe natyrën. /RilindjaShqiptare.com/