Ky pikë-kalim në zonën kodrinore-malore ndërmjet Zveçanit në Kosovë dhe Novi Pazarit në Serbi, zyrtarisht, nuk i shërbeu asnjëherë qëllimit për të cilin u ndërtua – bazuar në Protokollin Teknik të Brukselit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Në Maj bëhen 10 vjet prej kur Kosova dhe Serbia u dakorduan për ndërtimin dhe hapjen e pikës kufitare prapa meje, këtu në Izvor të Zveçanit, dhe tjetrës në Kapi të Sfricës në Kamenicë, por asnjëra nuk është funksionalizuar për shkak të refuzimit nga Serbia.
Për hapjen e dy pikave të reja kufitare, veçse të gatshme, pati diskutime në kuadër të dialogut në nivel kryenegociatorësh, vitin e kaluar.
Atë kohë, Bashkimi Evropiani kishte konfirmuar se si lehtësues i procesit, kishte marrë përsipër detyrën e jetësimit të ujdisë së para një dekade, duke përgatitur edhe një propozim se si të operacionalizohet hapja.
“Palët veçse janë pajtuar për hapjen e tyre (kalimeve kufitare Izvor dhe Kapi) në të kaluarën. BE-ja, po ashtu, e mbështet hapjen e këtyre kalimeve kufitare dhe BE-ja do të paraqesë një propozim se si të operacionalizojë hapjen”.
Por, ende nuk ka një njoftim për këtë propozim, e as për hapjen e pikave kufitare.
Ndërkohë, edhe për së paku një vit banorë të zonës, policë kufitar të Kosovës e pjesëtarë të KFOR-it do të përballen me gjendjen e rënduar të rrugës 15 kilometërshe që lidhë fshatin Banjskë me pikën e supozuar kufitare.
Përveç segmentit 2 kilometërsh tërësisht gurë e baltë, në dalje të fshatit ku ndodhi sulmi terrorist paramilitar në shtator të vitit 2023, të dëmtuara janë edhe copëza më të shkurtra të pjesës së asfaltuar të rrugës që çon në kufi me Serbinë.
“Asfaltimi i rrugës që lidhë fshatin Banjskë me atë Izvor, përkatësisht pikën kufitare jo funksionale atje, është buxhetuar tek për vitin 2026”.