OBSH: Punojnë në kushte që dëmtojnë shëndetin e tyre mendor

Një në tre mjekë dhe infermierë raportojnë se përjetojnë depresion. Të dhënat bëhen të ditura nga një anketë e OBSH-së për Evropën, pjesë e së cilës është bërë edhe Shqipëria.

Për sa i përket vendit tonë, nuk ka një shifër konkrete se sa e përhapur është ankthi dhe depresioni te punonjësit e shëndetit publik.

Por sipas raportit të OBSH-së, mjekët dhe infermierët në Evropë punojnë në kushte që dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre mendore.

Në të evidentohet gjithashtu se mjekët dhe infermierët që përjetojnë dhunë, punojnë vazhdimisht me orë të gjata dhe me ndërrime turnesh, sidomos natën, kanë shumë më tepër gjasa të jenë në depresion dhe në ankth.

Kushtet e pasigurta dhe të pambështetura të punës lidhen me stresin, ankthin dhe depresionin te punonjësit e shëndetësisë dhe kjo ndikon jo vetëm te ata, por edhe te pacientët dhe shoqëria.

Në varësi të vendeve të Evropës, deri në 40% e mjekëve dhe infermierëve me simptoma depresioni raportuan se kishin marrë leje mjekësore gjatë vitit të kaluar.

Gjithashtu, të dhënat tregojnë se vitin e kaluar, në Evropë, 1 në 3 mjekë dhe infermierë kanë përjetuar ngacmime ose kërcënime të dhunshme në punë, dhe 10% kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose ngacmim seksual.

Ankthi dhe depresioni paraqiten më të lartë në Letoni, ku afro 50% e mjekëve dhe infermierëve thonë se kanë çrregullime të ankthit, ndërsa në Danimarkë dhe Holandë është nën 10%

Related Posts