Planet e Chelseat për Ligën e Kampionëve mund të komplikohen nga një rregull pak i njohur i UEFA-s, i cili mund t’i detyrojë londinezët ta luajnë ndeshjen e tyre si vendas në raundin e 1/8-ave në një stadium neutral.
Skuadra nga “Stamford Bridge” siguroi kualifikimin në fazat eliminatore pas fitores 3-2 ndaj Napolit të mërkurën mbrëma, por tashmë përballet me një problem të papritur, raporton Daily Mail.
Rregulli problematik
Problemi lidhet me një rregullore të UEFA-s, sipas së cilës nuk lejohet që më shumë se një ndeshje e Ligës së Kampionëve të zhvillohet në të njëjtin qytet, në të njëjtën mbrëmje. Qëllimi i këtij rregulli është garantimi i sigurisë dhe shmangia e mbingarkesës së autoriteteve lokale të rendit.
Me Arsenalin dhe Tottenhamin që e përfunduan fazën e ligës më lart se Chelsea, dy rivalët londinezë kanë përparësi në përzgjedhjen e datave për ndeshjet që luhen më 17 dhe 18 mars. Si pasojë, Chelsea – si skuadër e renditur më poshtë – rrezikon të mbetet pa mundësinë për të pritur kundërshtarin në “Stamford Bridge”.
Në një skenar të tillë, “Blutë” do të detyroheshin të gjenin një stadium alternativ për ndeshjen e tyre si vendas, një situatë që do të përbënte një goditje të konsiderueshme për ambiciet e tyre në Ligën e Kampionëve.
Çfarë parashikojnë rregulloret?
Sipas rregullave të UEFA-s secili klub duhet të ketë një stadium alternativ se ku do t’i zhvillojë ndeshjet, në rast se nevojitet.
“Shoqata kombëtare dhe klubet përkatëse duhet të përcaktojnë dhe të njoftojnë paraprakisht një stadium alternativ, ku mund të zhvillohet ndeshja gjatë asaj jave”
“Në këtë rast, skuadra e renditur më poshtë në fazën e ligës duhet të luajë në stadiumin alternativ”. Në raste të veçanta, një skuadër e kualifikuar për ndeshjen e kthimit në këtë fazë mundet, duke njoftuar administratën e UEFA-s para shortit, të vendosë të ndryshojë rolin e organizatorit dhe të luajë ndeshjen e parë në shtëpi, në vend që ndeshjen e kthimit ta zhvillojë në një stadium alternativ”, thotë rregulloja.
Zgjidhjet e mundshme
Chelsea mund të kërkojë një përjashtim të veçantë nga UEFA, si dhe mbështetjen e autoriteteve të Londrës për organizimin e ndeshjes.
Duke qenë se kryeqyteti anglez shpesh pret disa ndeshje futbolli në të njëjtën ditë, sidomos gjatë fundjavave, sigurimi i lejes nga autoritetet lokale nuk shihet si një pengesë e pakalueshme.
Një tjetër mundësi është zhvillimi i ndeshjes të enjten, jashtë orarit standard të Ligës së Kampionëve, por kjo do të kërkonte ndryshime në orarin televiziv – diçka që mund të mos pranohet nga mbajtësit e të drejtave të transmetimit.
UEFA reagoi shkurt për rastin në fjalë: “Po zhvillohen diskutime me autoritetet lokale në lidhje me caktimin dhe mbivendosjen e datave në qytete për ndeshjet e ardhshme, përfshirë ato të muajit mars”.
Skuadra e drejtuar nga Liam Rosenior pritet të përballet me njërën nga këto ekipe në raundin e 16-të: Monaco, Qarabag, Newcastle ose PSG – dhe sigurisht që Chelsea nuk dëshiron të heqë dorë nga avantazhi i fushës së vet në një duel kaq vendimtar.



























