Data e lindjes dhe personaliteti? Tingëllon si astrologji, apo jo? Por në të vërtetë, studimet kanë treguar se njerëzit e lindur në dimër, pranverë, verë dhe vjeshtë kanë tipare të ndryshme që lidhen drejtpërdrejt me stinën kur kanë ardhur në jetë
Një studim i Universitetit Semmelweis në Hungari, i udhëhequr nga profesoresha Xenia Gonda, ka zbuluar se ekziston një lidhje e qartë midis muajit të lindjes, humorit dhe personalitetit të njeriut. Ajo anketoi 366 studentë universitarë – 258 meshkuj dhe 108 femra dhe i ndau sipas stinës së lindjes, duke identifikuar katër tipe kryesore personaliteti: temperamental, energjik/pozitiv, i qetë dhe me prirje ndaj depresionit.
Sipas profesoreshës Gonda, “studimet biokimike kanë treguar se stina e lindjes ndikon në nivelet e neurotransmetuesve si dopamina dhe serotonina dhe ky efekt është i dukshëm edhe në moshë të rritur”. Ajo shtoi se periudha e lindjes mund të rrisë ose të ulë rrezikun për zhvillimin e çrregullimeve të humorit.
Nëse stinët ndikojnë në gjendjen tonë shpirtërore, atëherë është logjike që ndikojnë edhe në mënyrën se si formohemi si persona dhe pikërisht këtë e ka zbuluar studimi.
Pranvera
Nëse je lindur në pranverë, shkencëtarët kanë zbuluar se ke një temperament hipertimik, je e gjallë, optimiste dhe energjike. “Bebet e pranverës” zakonisht janë njerëz pozitivë që ndihen më mirë gjatë ditëve me dritë dhe diell.
Megjithatë, dimri për ta mund të jetë sfidues, shumë persona të lindur në pranverë përjetojnë rënie humori në periudhën e ftohtë, një formë e lehtë e depresionit sezonal. Por në përgjithësi, ata janë të mbushur me entuziazëm, shoqërues dhe me ndjenja të forta pozitive ndaj jetës. Ekspozimi i hershëm ndaj dritës natyrore ndikon që të kenë më shumë serotoninë – hormonin e lumturisë.
Vera
Nëse je lindur gjatë muajve të verës, ka gjasa të përjetosh ndryshime më të shpeshta të humorit, një tipar që quhet temperament ciklotimik. Ironikisht, je gjithashtu më pozitive se njerëzit e lindur në çdo stinë tjetër. Ndryshimet e humorit nuk nënkuptojnë mungesë lumturie – përkundrazi.
Një studim i publikuar në PLOS ONE tregoi se personat e lindur në gusht kanë më pak gjasa të zhvillojnë çrregullim bipolar. “Bebet e verës”, siç i quajnë studiuesit, kanë më shumë gjasa të kenë humor të mirë dhe energji të lartë në jetën e përditshme, transmeton Telegrafi.
Vjeshta
Nëse je lindur në vjeshtë, ke një natyrë të qetë dhe të lumtur. Studimi i Plos One ka treguar se njerëzit e lindur në këtë periudhë kanë inteligjencë emocionale më të lartë sesa ata të stinëve të tjera.
Por ka edhe më shumë. Personat e lindur në vjeshtë shpesh janë më të suksesshëm akademikisht dhe profesionalisht, pasi kanë aftësi të mira analitike dhe prirje të fortë për mësim.
Sipas revistës Mother & Child, gratë e lindura në muajt e vjeshtës mund të kenë edhe mbrojtje natyrale ndaj kancerit të gjirit dhe mitrës, pasi nënat që kanë qenë shtatzëna gjatë verës kanë nivele më të larta të hormoneve riprodhuese, çka ndikon pozitivisht në zhvillimin e fetusit femëror.
Dimri
Nëse je lindur në dimër, shkencëtarët e Universitetit Semmelweis do të të përshkruanin si person më të qetë dhe të përmbajtur se ata që kanë lindur në stina të tjera. Megjithatë, mund të kesh pak më shumë prirje ndaj humorit të ulët.
Ky grup njihet për atë që studiuesit e quajnë temperament me reagim të ulët – njerëz të qetë që nuk stresohet lehtë dhe dinë të ruajnë energjinë për situatat që e kërkojnë. Kushtet e dimrit, me mungesë të dritës dhe ditë të shkurtra, ndikojnë në prodhimin e melatoninës, ndaj njerëzit e lindur në këtë stinë flenë më mirë natyrshëm.
Një tjetër avantazh interesant i lindjes në dimër është kreativiteti. Më shumë kohë në ambiente të mbyllura gjatë fëmijërisë mund të nxisë imagjinatën, ndaj shumë “bebe dimri” priren të kenë talent në art, muzikë apo shkrim.


























