Qindra mijëra qytetarë mbushën rrugët e Novi Sadit të shtunën për një tubim përkujtimor me rastin e njëvjetorit të shembjes së një pjese të stacionit të trenit, ku humbën jetën 16 persona.
Pjesëmarrës nga e gjithë Serbia u drejtuan në qytet për të nderuar viktimat. Disa mbërritën që mbrëmë, duke udhëtuar këmbë ose me biçikleta, ndërsa grupi më i vendosur ishte ai i qytetarëve nga Novi Pazar, të cilët ecnin prej 16 ditësh për të marrë pjesë në ngjarje.
Sot, qytetarët u mblodhën në 16 pika të ndryshme të qytetit në orën 10:00 dhe marshuan drejt stacionit të trenit, ku tubimi nisi në 11:52 – ora e saktë e shembjes një vit më parë. Ky konsiderohet si tubimi përkujtimor më i madh në historinë e Serbisë, raporton nova.rs.
Tragjedia e vitit të kaluar kishte shkaktuar protesta të gjera kundër pushtetit, me raste të dhunës policore, gjë që shtoi zemërimin publik.
Në prag të tubimit, lideri opozitar Misha Baçullov u arrestua sërish, akuzohet për inskenimin e helmimit të tij me qëllim nxjerrjen në faj të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe nxitjen e protestave.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë në Beograd konfirmoi aktakuzën ndaj tre personave për shembjen e kulmit në stacion: Slobodanka K., menaxhere investimesh në “Infrastrukturë Hekurudhore e Serbisë”; Milutin S., kryetar i Komisionit për Inspektim Teknik; dhe Biljana K., anëtare e të njëjtit komision.
Ata akuzohen për veprime me elemente korrupsioni, të cilat sipas prokurorisë lidhen drejtpërdrejt me tragjedinë, pasi mosveprimet dhe neglizhenca e tyre nuk parandaluan shembjen e kulmit më 1 nëntor, ku humbën jetën 16 persona dhe u lënduan rëndë dy të tjerë.
Prokuroria thekson se, nëse të pandehurit do të kishin kryer kontrolle të kujdesshme gjatë periudhës së testimit, do të kishin vënë re shenjat e plasaritjeve që paralajmëronin shembjen.


























