Analisti politik Shkëlzen Gashi, i cili para katër vjetësh kishte mbështetur kandidaturën e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës, këtë herë ka dalë me një qëndrim krejtësisht të kundërt. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të kryeqytetit që të mos e votojnë Ramën në zgjedhjet e ardhshme.
Në një reagim publik, Gashi tha se Prishtina është në gjendje të rëndë dhe akuzoi Ramën se nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e dhëna në fushatën e kaluar. Ai pranoi se ndjeu përgjegjësi personale për mbështetjen që i kishte dhënë dikur.
“Na mashtroi dhe kjo ndodhi edhe për fajin tim, për çka më vjen shumë keq dhe ju kërkoj publikisht falje,” shkroi Gashi, duke shtuar se Prishtina “është kryeqytet i të gjithëve” dhe se kërkon angazhim të përbashkët për ta nxjerrë nga kjo gjendje.
Ai renditi disa arsye pse, sipas tij, qytetarët nuk duhet t’i japin Ramës një mandat të dytë, duke e akuzuar për dështime, mashtrime dhe lidhje me krimin.
“Mos e votoni Përparim Ramën sepse nuk e ka realizuar asnjë prej projekteve të mëdha që i pat premtuar. Mos e votoni sepse po na ofendon inteligjencën duke na gënjyer sy më sy se i ka përmbushur ato projekte. Mos e votoni sepse është njeri i kapur prej krimit dhe i përfshirë në krime,” shkroi ndër të tjera Gashi.
Në fund të reagimit të tij, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë “përballë krimit dhe mashtrimit”, duke përfunduar me mesazhin:
“Ju lus: mos e votoni Përparim Ramën.”
























