Karriera e Kastriot Dermakut ka marrë një kthesë aspak të këndshme në sezonin e fundit për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme që e kanë lënë jashtë fushave të lojës për një kohë të gjatë mbrojtësin kuqezi dhe kthimi i tij nuk duket se do të ndodhë së shpejti.
Futbollisti 31-vjeçar, i cili ka veshur 12 herë fanellën e Kombëtares shqiptare, sapo ishte kthyer nga një dëmtim i gjatë dhe kishte filluar të grumbullohej dhe ulej në pankinë në ndeshjet e klubit të Leçes, pjesë e të cilit është. Por mediat italiane kanë bërë të ditur se ai ka pësuar një tjetër dëmtim në stërvitje sot.
Gjatë seancës së pasdites, ai ka pësuar një ndrydhje në gjurin e majtë. Kështu, lojtari do të jetë i detyruar që t’u nënshtrohet testeve më të hollësishme nesër, për të kuptuar shkallën e dëmtimit të radhës që ka pësuar dhe që po e bën shumë të vështirë vijimin e karrierës.
Si pasojë e situatës me dëmtimet, Dermaku ka luajtur vetëm 2 ndeshje në vitin e fundit dhe aktivizimi i rregullt me Leçen, duket shumë pak i mundshëm.