Kanë dalë në dritë detaje tronditëse nga vrasja brutale e një 75-vjeçare në Salaminë, krim që ka tronditur opinionin publik në Greqi.
Hetimet e policisë zbuluan se pas ngjarjes së rëndë qëndronte nusja, e cila u dorëzua dhe rrëfeu me hollësi skenarin e errët që çoi në ekzekutimin e vjehrrës së saj.
Sipas informacioneve të protothema.gr, e arrestuara deklaroi se kishte hyrë në shtëpinë e 75-vjeçares për të marrë 1,100 euro, por situata doli jashtë kontrollit kur mendoi se viktima e kishte njohur.
Ajo pretendoi se 75-vjeçarja i kishte dhënë më herët të birit, bashkëshortit të saj, 10,000 euro për t’i mbajtur, por shuma ishte zhdukur dhe ende nuk dihej kush i kishte marrë.
Duke u penduar për humbjen e parave, i biri kishte arritur t’i kthente nënës 8,000 euro dhe i premtoi se do t’i jepte edhe 2,000 euro të mbetura.
Më vonë, ai mblodhi edhe 1,100 euro të tjera, të cilat po përgatitej t’ia dorëzonte. Por e shoqja, e dyshuar si e varur nga bixhozi, mori paratë, i humbi dhe, nga frika se mos zbulohej nga bashkëshorti, vendosi të hynte fshehurazi në shtëpinë e vjehrrës për të marrë po të njëjtën shumë dhe për ta vendosur pas kësaj në vendin ku burri i kishte lënë.
Duke pasur akses në kamerat e sigurisë, ajo ndryshoi drejtimin e tyre, vuri maskë dhe doreza, mori një çekiç dhe shkoi në shtëpinë e vjehrrës.
Ajo theu xhamin e një dritareje, hyri me forcë dhe nisi ta kërcënonte duke i kërkuar paratë.
Vjehrra reagoi dhe, sipas autorës, në moment paniku ajo e goditi me një shishe në kokë, duke e rrëzuar përtokë. Më pas, e tronditur – siç ka thënë – mori një thikë dhe e goditi për vdekje.
Pas krimit, ajo u kthye në shtëpi, lau rrobat e përgjakura dhe i hodhi në një kosh plehrash.
Ngjarja ndodhi mesditën e së premtes, më 31 tetor të këtij viti. Hetimet fillimisht u zhvilluan në të gjitha drejtimet, ndërsa oficerët e vrasjeve morën deklarime nga të afërmit dhe persona që kishin akses në banesën në rrugën “Ikarou” ndërsa policia arriti të identifikojë gruan, e cila në fund u rrëfye dhe pranoi krimin.
























