Prindërit përpiqen t’i mbrojnë fëmijët nga rreziqet, mirëpo shpesh harrojnë disa gjëra të cilat gjenden pothuajse në çdo shtëpi.
Fëmijët kanë natyrë kureshtare dhe gjithçka që i rrethon u duket emocionuese. Kjo është arsyeja pse Healthy Children ka përpiluar një listë të sendeve shtëpiake më të përdorura, ndaj të cilave duhet të keni kujdes.
Pasqyra jo të varura në mur
Nëse keni një pasqyrë që nuk është e varur në mur dhe një fëmijë të vogël, merrni parasysh ta hiqni derisa fëmija të rritet. Fëmijët tërhiqen nga pasqyrat, por nëse mbështeten në një pasqyrë të lirë, ekziston mundësia që ajo të rrëzohet dhe fëmija të lëndohet në xhamat e thyer.
Drejtues të flokëve
Nëse përdorni drejtues për flokë, bëni shumë kujdes. Nëse është e nxehur, fëmija mund të dëmtohet. Disa drejtues flokësh nxehen në temperatura shumë të larta dhe u duhet më shumë kohë për t’u ftohur. Rreziku i lëndimeve dhe i djegieve është shumë i lartë nëse mbani fëmijën në krah, derisa jeni duke përdorur këtë aparat bukurie.
Tavolina prej xhami me skaje të mprehta
Kur keni një fëmijë, do të kuptoni që keni shumë skaje të mprehta në shtëpinë tuaj që duhet të mbrohen. Për sigurinë e fëmijës, është e rëndësishme të largoni të gjitha objektet prej xhami siç janë vazot, por edhe tavolinat e vogla prej xhami, veçanërisht nëse ato kanë skaje të mprehta. Fëmijët nuk dinë si ta vlerësojnë sigurinë dhe tavolina e vogël nga qelqi ka provuar të jetë një objekt me rrezik të lartë që mund të shkaktojë një numër lëndimesh.
Kapsulat për rrobalarëse
Kapsulat për rrobalarëse janë shumë tërheqëse për fëmijët, por edhe toksike. Ekspertët sugjerojnë që të mos i blini nëse nuk është e domosdoshme. Nëse vendosni t’i përdorni, është thelbësore t’i mbani ato larg nga qasja e fëmijëve.
Magnetet
Shumica e prindërve e zbukurojnë frigoriferin me magnete, ndërsa ato janë të rrezikshme nëse përfundojnë në gojën e fëmijës dhe paraqesin rrezik mbytjeje. Nëse përdorni magnet, sigurohuni që ato janë të mëdha që të mos mund t’i gëlltitë fëmija.