Sëmundjet jotransmetuese vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme në mbarë botën, thuhet në raportin më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për rajonin evropian, në të cilin përfshihet edhe Shqipëria.

Sipas raportit, çdo vit në Evropë humbin jetën rreth 1.8 milionë persona si pasojë e këtyre sëmundjeve – përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, diabetin dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes – shumica e të cilave janë të parandalueshme.

1 në 5 burra dhe 1 në 10 gra vdesin përpara moshës 70-vjeçare për shkak të sëmundjeve jotransmetuese.

Rreth 60% e këtyre vdekjeve lidhen me faktorë të rrezikut si duhanpirja, përdorimi i alkoolit, tensioni i lartë i gjakut, dieta e pashëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Ndërkohë, 40% e vdekjeve janë të lidhura me sëmundje të trajtueshme që mund të shmangeshin përmes diagnozës së hershme dhe qasjes në shërbime shëndetësore cilësore.

Raporti vë në dukje gjithashtu se pandemia e COVID-19 ka ndikuar ndjeshëm në arritjen e objektivit global për të ulur vdekshmërinë nga këto sëmundje me 25% deri në vitin 2030.

Deri më tani, vetëm 10 vende të rajonit evropian – përfshirë Danimarkën, Izraelin dhe Suedinë – kanë arritur këtë objektiv. Shqipëria, ndërkaq, renditet mes 26 vendeve që, sipas OBSH-së, duhet të intensifikojnë përpjekjet për ta përmbushur atë.

Related Posts