Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas deklarimeve të ish-ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku OEK-u u përmend si “akter politik opozitar” dhe pretendoi për dekurajim të bizneseve lidhur me aplikimin për skema të granteve.

OEK tha se këto deklarime janë të pabazuara, të dëmshme dhe të papranueshme për një institucion që për dekada ka qenë partner konstruktiv i të gjitha qeverive, pa dallim, ndërsa kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime ligjore.

“Ne rikujtojmë se Oda Ekonomike e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme i ka inkurajuar bizneset të aplikojnë në çdo skemë mbështetëse, përfshirë ato për grante, duke e parë këtë si një instrument të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Përgjatë viteve, OEK ka qenë promotori më i fuqishëm i informimit të bizneseve për mundësitë financiare, teknike dhe institucionale që i ndihmojnë ato të rriten.” 

Sipas tyre, ndikimi i Odës në zhvillimin e vendit në aspektin ekonomik po i pengon Rizvanollit.

“Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe tenton të njollosë kontributin dhe reputacionin e institucionit tonë. Fatkeqësisht, duket se suksesi dhe ndikimi i vazhdueshëm i OEK-ut në zhvillimin ekonomik të vendit po vazhdon të pengojë disa akterë, të cilët në mungesë të argumenteve po zgjedhin diskurs të pavërtetë.”

Për akuzat e ish minsitres së Albin Kurtit, OEK ka kërkuar që të dëshmojë atë që ka deklaruar, sepse në të kundërtën do ta padisin.

“Oda Ekonomike e Kosovës i kërkon ish-ministres së Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, që deri të hënën 08.12.2025, të paraqesë prova të qarta dhe të verifikueshme lidhur me pretendimet se OEK ka “ndikuar” në ndonjë kompani për të mos aplikuar në skemat e granteve.

Në mungesë të këtyre provave, OEK do të jetë e detyruar të inicojë procedurat ligjore, padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të institucionit, pasi deklarime të tilla të pabazuara cenojnë integritetin tonë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rolin që Oda ushtron në mbështetje të komunitetit të biznesit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.”

Oda thotë tutje se Rizvanolli do të duhet të japë llogari për dëmet e shkaktuara bizneseve nga mënyra e papërgatitur dhe e njëanshme e futjes së tyre në tregun e lirë të energjisë, proces i cili ka sjellë vështirësi serioze financiare dhe operacionale për shumë ndërmarrje vendore.

Related Posts