Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, ka zhvilluar një aksion të gjerë ndërkombëtar në kuadër të planit operativ “Pranvera 2025”, që është realizuar në bashkëpunim me organizata dhe agjenci ndërkombëtare si EUROPOL, INTERPOL, FRONTEX dhe EU4FAST, si dhe me pjesëmarrje të shteteve si Kosova, Gjermania, Tailanda, Brazili, Kolumbia, Greqia, dhe të tjera.

Operacionet janë zhvilluar në periudhën 2 qershor – 7 korrik 2025 dhe kanë përfshirë kontrolle në rrugë, qendra tregtare, lokale nate dhe qendra masazhi, me qëllim identifikimin e rasteve të mundshme të trafikimit me njerëz dhe shkeljeve të tjera penale.

🔹 Kontrolle në lokale nate (muzikë live):

  • Janë inspektuar 47 lokale, ku janë hasur 482 persona (352 femra, 130 meshkuj).

  • 8 lokale janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e MINT.

  • Prej tyre, 278 ishin shtetas të huaj, kryesisht nga Shqipëria.

🔹 Kontrolle në qendra masazhi:

  • Janë inspektuar 67 qendra, ku janë hasur 149 persona.

  • 22 qendra masazhi janë mbyllur për shkelje.

  • Ndër të identifikuarit kishte edhe shtetase nga Tajlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Malavia.

🔹 Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës:

  • Janë iniciuar 10 raste penale me 10 të arrestuara (5 kosovare, 5 shtetase të huaja).

  • Janë identifikuar 15 fëmijë lëmoshkërkues, ndër ta edhe shtetas të huaj.

🔹 Marrje me prostitucion – rastet e eskortës:

  • Janë iniciuar 7 raste, me 14 të arrestuar (7 meshkuj kosovarë dhe femra nga Kolumbia, Venezuela, Brazili dhe Turqia).

  • Janë shqiptuar gjoba dhe urdhra për dëbim dhe ndalim hyrjeje në Kosovë për 3 vjet.

🔹 Rast i shfrytëzimit të viktimave të trafikimit:

  • Janë arrestuar 4 persona kosovarë.

  • Është ekzekutuar një urdhër për masa të veçanta hetimore që ka rezultuar me arrestimin e një personi për “mundësim ose detyrim në prostitucion”.

  • Viktima, një femër kosovare, është strehuar në strehimore për viktima të dhunës.

Gjithashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar 7 dokumente të personave të huaj, të cilët janë referuar për trajtim të mëtejmë sipas Ligjit për të Huajt.

Policia e Kosovës thekson se operacioni është pjesë e përpjekjeve për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me njerëz dhe format e tjera të shfrytëzimit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Related Posts