Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti sot një konferencë për media, në të cilën bëri të ditur gjendjen aktuale të sigurisë, mundësinë e sulmeve nga Serbia dhe situatën politike pas kthimit nga SHBA.

Në qendër të vëmendjes ishte edhe vendimi i Gjykatës Supreme, e cila ndaloi që ministrat të mbajnë edhe mandatin e deputetit, një çështje që Osmani nuk e komentoi drejtpërdrejt.

“Për Supremen palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, kurse Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj për AAK-në ka thënë se nëse deputetët dëshirojnë ta ngrisin çështjet e papërputhshmërisë mes detyrës së deputetit dhe ministrit atëherë mund ta bëjnë me 40 nënshkrime. Pra është edhe kjo rrugë tjetër, sepse po flasim për një çështje kushtetuese. Tash unë e kam opinionin tim, por mos ta marr detyrën e Gjykatës Kushtetuese.”

Vendimi i Supremes erdhi pas nismës për digjitalizimin e arkave fiskale nga Hekuran Murati, i cili e kishte nënshkruar atë pasi ishte betuar si deputet – duke shkelur Kushtetutën, sipas vendimit.

Ky vendim nxiti një fushatë sulmesh politike ndaj Gjykatës Supreme.

Gjithashtu, Presidentja paralajmëroi se do të drejtohet te Gjykata Kushtetuese, nëse gjatë fundjavës nuk arrihet marrëveshje dhe nuk formohen institucionet e reja.

Related Posts