Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer në rishqyrtim Kuvendit të Kosovës Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit për media Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në vendimin e presidentes thuhet se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar.
Kjo sipas arsyetimit të presidentes, rrezikon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.
Vjosa Osmani, president e Kosovës: Mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme krijon një vakum juridik i cili ua pamundëson institucioneve të Republikës së Kosovës që janë pjesë e Këshillit për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe të drejtave të qytetarëve të saj në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
Presidentja Osmani, ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit këtë ligji me qëllim të përfshirjes së kapitullit i cili rregullon funksionimin e Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Presidentja gjatë ditës ia ka kthyer Kuvendit edhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.