Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë të regjimit serb ndaj familjes Jashari, duke theksuar se Prekazi mbetet simbol i lirisë dhe rezistencës kombëtare.
Në një mesazh përkujtimor, Osmani ka thënë se familja Jashari nuk u dorëzua kurrë, ndërsa Prekazi u shndërrua në kambanë lirie për gjithë kombin shqiptar.
“Makineria vrastare e regjimit serb u përball me rezistencën heroike të familjes Jashari, e cila nuk u dorëzua kurrë. Prekazi foli me pushkë, sepse liria nuk dhurohet, por fitohet”, ka deklaruar presidentja.
Ajo ka rikujtuar se ky sulm ishte paralajmërim i epopesë së lavdishme të UÇK-së, ndërsa më 5 mars 1998, forcat serbe sulmuan sërish Prekazin, në një betejë që zgjati tri ditë.
“Ky sulm ishte vetëm paralajmërimi i epopesë. Më 5 mars 1998, Serbia sulmoi sërish. Tri ditë luftë. 59 anëtarë të familjes Jashari ranë heroikisht, bashkë me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Ata nuk ranë për të vdekur, por për t’u përjetësuar dhe për ta bërë Kosovën e lirë.”.
Presidentja Osmani ka përfunduar duke thënë se Prekazi është altari i lirisë dhe djepi i UÇK-së, ndërsa familja Jashari mbetet flamur që valon përjetësisht.
























