Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorin e Shtetit të Katarit për Kosovën, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari, me të cilin diskutoi mbi avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve.
Në takim u rikonfirmua partneriteti i shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Katarit, si dhe u diskutuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Në fokus të takimit ishte falënderimi i veçantë i Presidentes Osmani për mbështetjen konkrete të ofruar nga Katari për sigurimin e protezave për invalidët e luftës, një iniciativë që po realizohet nëpërmjet angazhimit të Presidentes dhe mbështetjes së institucioneve partnere në Katar. Presidentja e vlerësoi këtë hap si një shembull kuptimplotë të solidaritetit dhe humanizmit që forcon lidhjet midis dy popujve.
Presidentja Osmani dhe Ambasadori Al Dosari shprehën vullnetin për t`i forcuar edhe më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve.