Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, ka organizuar Ditën e Vizitorëve ku pjesëmarrëse ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se përmes këtij ushtrimi, ushtarët e FSK-së kanë shfaqur shkathtësitë e tyre dhe guximin.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ‘Ujku i çeliktë’ personifikon instinktin e mprehtë dhe guximin tuaj gjatë këtij ushtrimi. Me operacionet sulmuese gjatë këtij ushtrimi, ju shfaqët shkathtësinë dhe guximin që kërkohet për ta tejkaluar çdo kërcënim”, u shpreh Osmani.
Tutje, presidentja ka theksuar se ushtria e Kosovës është e ndërtuar me kapacitete profesionale, sipas standardeve të NATO-s.
“Sot e konfirmuat edhe një herë se ushtrinë tonë e kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar me aftësi dhe me kapacitete profesionale sipas standardeve më të larta të NATO-s, dhe konfirmuat se jeni të gatshëm të merrni pjesë efektivisht edhe në operacione shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Osmani.