Papa Leo ka kërkuar nga katolikët dhe besimtarët e tjerë që të mbajnë një ditë agjërimi dhe lutjeje për paqe në Ukrainë e në shtete të tjera të rrënuara nga lufta për të premten, më 22 gusht.

“Përderisa Toka jonë vazhdon që të plagoset nga luftërat në Tokën e Shenjtë, në Ukrainë dhe në shumë rajone të tjera… unë i ftoj të gjithë besimtarët që ta jetojnë ditën e 22 gushtit në agjërim dhe lutje” – tha ai gjatë fjalimit javor në Vatikan të mërkurën, raporton “Reuters”.

Papa Leo sugjeroi se besimtarët mund ta lusin Zotin që “të na japë paqe dhe drejtësi dhe t’i fshijë lotët e atyre që vuajnë për shkak të konflikteve të armatsoura që po vazhdojnë”.

Vatikani më parë është përmendur si vend i mundshëm për bisedime të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, por Moska nuk e kishte cilësuar si të përshtatshëm.

Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës janë shtuar në javët e fundit. Presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar e priti në Alaskë homologun rus, Vladimir Putin.

Është përmendur edhe mundësia për një takim mes Putinit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa Hungaria është thënë se mund të jetë lokacion i mundshëm i takimit.

Gatishmëri për organizimin e takimit mes Zelenskyt e Putinit ka shprehur edhe Zvicra, shtet që njihet për pozicionin e saj neutral rreth çështjeve politike ndërkombëtare.

Related Posts