Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka njoftuar që janë duke shqyrtuar mundësinë që nga 22 marsi procesi i mësimit në të gjitha nivelet të kalojë online.
“Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, ka shkruar Hoti.
Në takimin në të cilin kanë marrë pjesë ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj, është kërkuar nga qytetaët që të respektojnë masat anti-COVID-19.
“Edhe një herë kërkuam nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid-19, që të ngrisin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi”, ka thënë tutje Hoti.
Sipas Hotit institucionet përkatëse janë duke u përgatitur për planin e vaksinimit sapo të vije vaksina.
“Përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve”, ka shkruar kryeministri në detyrë.
Që nga shfaqja e rastit të parë me COVID-19 në Kosova janë infektuar 77,827 persona, nga ta janë shëruar mbi 65 mijë persona, ndërsa kanë vdekur 1,702 persona.
Në fillim të pandemisë mësimi është mbajtur online, por pastaj është marrë vendim që të punohet sipas 3 skenarëve, varësisht prej rasteve aktive që janë në shkolla.