Parashikimi i motit nga e mërkura deri të shtunën

Të mërkurën, vendi do të ndodhet nën ndikimin e fushave të presionit në rënie, duke favorizuar zhvillim të vranësirave të dendura. Parashihet mot kryesisht i vranët me mundësi për riga të dobëta dhe lokale shiu. Parametrat termikë do të mbesin relativisht stabilë, ndërsa fusha barike do të shënojë rënie graduale. Era do të fryjë nga jugperëndimi, me shpejtësi 1–9m/s.

Temperaturat minimale pritet të luhaten ndërmjet -1°C deri 7°C, ndërsa maksimalet ditore do të arrijnë vlera prej 8°C deri 11°C. Të mërkurën priten vlerat më të larta termike të javës, ndërsa ditët pasuese do të karakterizohen nga fusha termike më të ulëta, tipike dimërore, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

Nga e enjtja deri të shtunën, parashihet depërtimi i një mase të ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila do të stabilizojë një regjim termik dukshëm më të ulët dhe do të gjenerojë kushte për mot të vranët dhe me reshje.

Në zonat malore priten reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të paraqiten në formë të rigave të dobëta shiu, të cilat me rënien progresive të temperaturave do të transitojnë gradualisht në reshje bore.

Si rrjedhojë, edhe në disa zona të ultësirave priten intervale të shkurtëra me reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së së enjtes dhe të premtes, varësisht intensitetit të masës së ftohtë dhe profilit termik të shtresës së ulët të atmosferës.

Related Posts