Elon Musk sot për herë të parë merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, një kthesë e rëndësishme për miliarderin që më parë kishte kritikuar publikisht këtë mbledhje vjetore të elitave politike dhe biznesore.

Sipas programit më të fundit, njeriu më i pasur në botë do t’i bashkohet një paneli së bashku me CEO-n e BlackRock, Larry Fink, shkruan Reuters.

Në vitet e fundit, miliarderi ka qenë një nga kritikët më të shquar të WEF-it, duke e kritikuar rregullisht këtë mbledhje vjetore në Davos si elitiste, jo përgjegjëse dhe të largët nga njerëzit e zakonshëm, raporton reuters.

Në rrjetin social X, Musk ka tallur disa herë Davosin, duke e quajtur atë “të mërzitshëm” dhe duke deklaruar se WEF është “një qeveri botërore e pazgjedhur që njerëzit kurrë nuk e kërkuan dhe nuk e duan”.

Pjesëmarrja e Musk në Davos ndodh në një kohë kur ai vazhdon të ketë një rol kyç në disa debate globale, nga furnizimi me internet satelitor i kompanisë SpaceX në zonat e luftës, deri tek kritikat publike për imazhet seksuale që gjeneron Grok, ‘chatbot’ i start-up-it të tij AI, xAI.

Statusi i tij si CEO i Teslës dhe si aleat i presidentit amerikan, Donald Trump ka forcuar ndikimin e tij politik, duke i dhënë një shkallë të jashtëzakonshme fuqie në diskutimet mbi politikat që përfshijnë teknologjinë, mbrojtjen dhe komunikimet globale.

Disa nga kompanitë e Musk janë me interes të drejtpërdrejtë për qeveritë, duke përfshirë SpaceX, një furnizues të madh amerikan të mbrojtjes, rrjeti i të cilës Starlink operon në zonat e konflikteve, si dhe platformën X, ku ndryshimet në politikat e moderimit kanë shkaktuar kritika për dezinformim dhe gjuhë urrejtjeje.

Related Posts