Pas zjarrve që kanë shkaktuar dëme të mëdha në viset malore në regjionin e komunave të Ferizajt, Policia Rajonale ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel të mjaftueshëm për menaxhimin e rasteve të zjarreve në rajonin e Ferizajt. Sipas Policisë së Kosovës në Ferizaj, gjatë javës së kaluar janë raportuar disa incidente zjarresh, duke përfshirë Ferizajn, Kaçanikun, Shtërpcën, Shtimen dhe Hanin e Elezit.

Nëpërmjet një komunikate Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë me dije se po punojnë me përkushtim në parandalimin e zjarreve, duke koordinuar aktivitetet me institucionet lokale dhe agjencitë përkatëse.

“Aktualisht, në rajonin e Ferizajt nuk ka asnjë vatër aktive apo lokalitet të përfshirë nga zjarret. Megjithatë, policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e hapësirave fushore dhe pyjeve, pasi pasojat mund të jenë të rënda dhe të pakthyeshme. Policia do të jetë e pakompromis ndaj kujtdo që, me qëllim apo nga neglizhenca, shkakton zjarrvënie. Të gjithë personat që kryejnë zjarrvënie të qëllimshme ose për shkak të pakujdesisë do të ndiqen penalisht. Falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe i ftojmë që, sa herë që kanë informacione rreth personave që me dashje shkaktojnë zjarrvënie, të njoftojnë menjëherë policinë”, thuhet në komunikatë.

Related Posts