Rritja e tatimit në pronë nuk u prit mirë nga qytetarët e Kosovës. Të nevrikosur, të zhgënjyer dhe pa shpresë për përmirësim të njëjtit janë treguar edhe në profilin e ministrit, Hekuran Murati.
Ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook ka treguar propozimin e tij i cili thotë se secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro.
Duke u munduar që ta fajësoj opozitën dhe vetë të dalë i pastër nga ky debat i ashpër në opinion, Murati ka shkruar disa opsione që sipas tij do të funksiononin.
Megjithatë, ky tentim nuk mori efektin e duhur. Qytetarët përmes komenteve në postimin e ministrit janë shprehur të mllefosur nga vendimi i fundit i këtij dikasteri.
Një komentues ka thënë se ku veprim ka qenë autogol për Qeverinë Kurti.
“Mos banë shaka, ktheje gjendjen e vitit 2022, përndryshe autogol për këtë qeveri”, ka shkruar ai në koment.
Ndërkaq, një tjetër qytetar i është drejtuar Muratit me fjalët “Mashtrues ishe ti!”.
Disa të tjerë i kërkuan ministrit që të mos tregoj “përralla” dhe ti lë shakatë anash pasi kjo çështje meriton trajtim serioz.
“Leje more hec kape anulo kët marri mos na kallxo pralla ktu, Lej foret”, kanë shkruar ata.
Kishte edhe komente të tilla që paralajmëronin rezultate të dobëta në zgjedhjet e ardhshme për Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, Qeveria Kurti po puno për opozitën dhe jo për popullin.
“Minister ju e keni shumicën në parlament për atë edhe ju kemi votu ju a po jetoni e punoni për opozitën apo për Popullin hapni syt e punoni se vin shpejt zgjedhjet edhe tani mos hajdni te Populli me lyp vot po shkoni te opozita”, ka shkruar ai në postimin e Muratit.
Kurse frika e VV-së ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qenë gjithashtu tematikë e diskutimit tek disa komentues në profilin e Muratit.
“A fort po ju tuteni LDK-së se jeni qu i madh e i vogël ju VV me ju kap”
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Është shumë e thjeshtë, me propozimin tim, që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë:
85% e tatimpaguesve nuk do të paguanin ASGJË për vitin 2023 (ata që tashmë kanë paguar, u llogaritet si parapagim për vitin vijues)
10% të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro për vitin 2023
Pra vetëm Top 5% e tatimpaguesve (që përfshin edhe bizneset) do tu binte të paguanin më tepër se 100 euro për tërë vitin 2023.
Mirëpo opozita e kundërshton këtë propozim që do të lironte 95% të tatimpaguesve, dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër.
A e dini pse?
Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa.
Pra, me propozimin e opozitës/LDK-së:
95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë
Nëse e marrim vetëm një rast të një biznesmeni ndërtimtar, me vlerësimin e vjetër do të paguante 27 mijë euro më pak tatim sesa me vlerësimin e ri – raste të tilla ka shumë
Një tjetër pronar marketesh, me vlerësimin e vjetër që po e kërkon LDK, do t’i binte të paguajë rreth 70 mijë euro më pak
Pra, qytetarë të dashur, kushdo që me të vërtetë ka hallin e qytetarëve, e mbështetë propozimin që secilit t’i falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë.
E ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të MOS u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët.
—-
Ndërsa sa i përket ligjit të ri, këtë e thash edhe dje, në konferencë dhe para komisionit parlamentar, që si Qeveri shumë shpejt do ta dërgojmë ligjin në Kuvend.
Në ligjin e ri do të përfshijmë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023, si dhe do të rrisim fleksibilitetin e komunave dhe do të bëjmë tatimin progresiv për vitin 2024 e tutje, ashtu që, ata që kanë më pak të paguajnë më pak, ndërsa ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë.