Lidhur me deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, kanë reaguar edhe nga PDK-ja.
Deputetja e betuar e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se është pikërisht Kurti dhe VV-ja që kanë shkelur Kushtetutën në mënyrë të përsëritur.
Ajo përmendi votimin e fshehtë që po kërkohet në seancat e fundit konstituive, e që thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare.
“Nuk mund të imponohet vullneti politik në emër të rregullave kushtetuese, duke i përdorur institucionet si zgjatim të partisë”, ka shkruar tutje Deliu në Facebook.
“Është hipokrizi që Albin Kurti po flet për Kushtetutën, kur është pikërisht ai dhe partia e tij që e kanë shkelur atë në mënyrë të përsëritur. Nuk mund të ketë votim të fshehtë pa procedurë ligjore dhe pa përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare. Nuk mund të imponohet vullneti politik në emër të rregullave kushtetuese, duke i përdorur institucionet si zgjatim të partisë. Ky është thelbi i kapjes së shtetit”, deklaroi deputetja.
Lidhur me deklaratën e Kurtit, gjatë ditës së sotme kanë reaguar edhe zyrtarë të LDK-së, ku VV-së ia përmendën shkeljet e Kushtetutës, të bëra nga kjo parti.